17 Dhjetor, 2017 - 10:57 am
ARTANIT
Ti vazë e derdhur mjeshtërishte dore
Ti formë e hequr baltëje bujare:
Te mes’ i ditës sate re në fare
E shove gjurmën vet’ e vet’ u bore.
Të mblonte ditën ujët tat rrafshore
E derdhej natën detesh harrimtare.
Po ky i jetës qark t’u err: krenare
Ti theve shtatin në thermi mizore.
Kush pati et iu bëre ujë e krua
Kush pati gaz i dhe të bardhë verë
E vaj të butë plagash kush i pat.
Tani na re si ra një yll q’ u shua.
Krip-artat vasha derdhin vaj të gjerë
Me sy të lagur përmbi kurmit tat.
Mbi ty ku dergje te banesa jote
Të motit gjurmë ndjekin varg e varg.
Fryn er’ e malit, ndihet vera larg
E vesa shtrohet si një shtrojë e lote.
Mbi ty kalojnë muaj edhe mote
Me dit të rënda e me net të shkreta.
Mimoza frorit, pika shiu të qeta,
Nata e vitit pa një krismë gote.
Ti rri si rri një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë;
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulojnë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet.
Fryn er’ e malit, bie bora larg
Fryn er’ e malit, hëna ndrit nga larg
15 dhjetor 1970…