26 Dhjetor, 2021 - 12:53 pm
Me le t’i flas sonte,
veç dy fjale,
ndoshta i huazoj prej poetëve
të mëdhenj
a prej psalmeve biblike ,
ma të bukurat kangë.
Prej atyne qi iu kapërthyen shpirtit
prej lindjes deri në dekë,
tuj mos ba kompromis me çastet e
rëndomta të jetës,
me peshën e saj mbytëse
e kryqin e randë që kalb shpinat e
kërrusuna të njerëzimit.
Veç dy fjalë,
punë sekondash
aq sa zgjat mishi i puthitun ne mish,
analogji e randomtë e puthjes,
Aq sa zgjat pendesa jonë
ndaj mëkatit e Zotit.
( Zoti asht i joni edhe pse ne
s’ditëm me kenë të tijtë)
Du me i thanë veç dy fjalë
për atë çka iku e ma s’vjen,
njëjtë si vegimet e nadjes
që përziehen me andrrat ma të bukura,
e na përshfaqen në thik të pragut
të ditës,
njatëherë kur duhet me u çu e lumtuninë
me e kërkue në zgjandrra
( zor boll e di , paj njeriu rron për nji lumtuni krejt të vogël)
Dy fjalë për ne që bashkuam shpinoret
e u shtyem me vrik drejt kaheve të kundërta,
Keshtu e ndertuem veten,
njani – tjetrin
botën tonë
e kështu e shuajtëm gacën e parë të zjarrit
që kurrë s’mori hov.
Me këtë stof të murrmë
e veshëm substancen e bërthamës sonë
tuj dashtë, pa dashje
e krejt pa dashje, tuj urrye
Dhe lejuem friken,
pezmin,
dhimbjet,
ngerdheshjet
ta ndërtojnë kështjellën mbrenda nesh.
Mure e mure të nalta që,
s’na lanë as nji rreze dielli me depertue në anë,
por veç syprina terri të ftohtë mbulue me heshtje.
Nëse s’ia kam dalë me fol, e kam heshtë si gur
Tash për krejt këtë pikëllim,
Deshta me i thanë veç dy fjalë,
n’se dikush ia mbrrin me
e njoft vajin tem.
Asht kanga jeme tashma,
amaneti jem…
–Poezi e shkruar nga Liridon Mulaj, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com