27 Dhjetor, 2020 - 5:34 pm
Poezi nga Sabri Hamiti kushtuar Lasgush Poradecit e shkruar në vitin 1972.
(mik plakush i liqerit)
Lasgushi i mallëngjyer digjet buzë liqeri
këtu në mesin tonë valon valë verore
vetëtitë bubullimë shi moshë rinore
mes tokë e mes qiellit këputet zgjatet peri
mik plakush i liqeri gji hapur zemër qullë
thirret me këngë vajtore t’i ulem sa më pranë
vrap dëshira djaloshare shpresën gjallë e mbanë
ëndërrimtar vetmitar në gji të tij jam ulë
e mundon plaga fqinje mes gufimi
zog hero gush përgjakur nuk i jep jetës lak
ftohtësi e rrethon ngushëllim fjalë pak e pak
para vdekjes gjykimi pas vdekjes përqafimi./ KultPlus.com