Poezia e shkrimtarit Agim Vinca kushtuar motrës së tij të ndjerë

23 Mars, 2018 - 4:40 pm

Në 35-vjetorin e ikjes në amshim të motrës sime të shtrenjtë, Shpresës, po e publikoj këtë poezi, nga disa sosh që kam shkruar për të. Dhe ja edhe përkthimi frëngjisht i saj nga Aleksandër Zoto, si dhe ilustrimi i piktorit Anastas Konstandini-Taso.

Agim Vinca

UDHËTIMI I FUNDIT I MOTRËS SIME

Si në baladën e lashtë
të fjalës së dhënë
udhëtonim bashkë.

Si në baladën e lashtë
të fjalës së dhënë
që s’e tret dheu.

Udhëtonim bashkë
me mallin e Dheut tonë në sy.
Dhe s’di kujt i vinte era dhe:
Mua apo Ty.

Zogjtë e malit i përshpërisnin njëri-tjetrit.
Zogjtë e malit dhe stjuardesat e bukura.
«Ecin bashkë i gjalli me të vdekurin».

Ç’udhëtim i tmerrshëm!

Si në baladën e lashtë
të Konstantinit të Vogël,
Unë e Ti, Motër.

Kaptonim fusha, male, qytete.
Sipër ujërash, resh, rënkimesh
fluturonim:
jo në shpinë të kalit,
po në bark të aeroplanit.

Po ktheheshim nga ai Qytet.
Nga ajo Bavari e largët, e ftohtë.
Mjekët thoshin për ty s’ka shërim.
Dhe përmendnin shpesh fjalën karcinom.

Ç’udhëtim i gjatë!
Ç’udhëtim i shkurtër!

Kur arritëm
(natën vonë),
sakaq u ndamë.

Unë dola në Shesh t’i takoj shokët
(pas qind-mijë vjetësh),
Ti u shtrive të prehesh pak
pranë Zonjës-Mëmë!
1983-1993

Të ngjajshme