8 Shkurt, 2018 - 4:40 pm
Po e sjellim sonte poezinë ‘U dogj filmi’ shkruar nga Adem Gashi, e cila mbrëmë u shpërblye me vendin e dytë në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’ në Prishtinë, organizuar nga KultPlus.
u dogj filmi
athua është gjallë Habibi
ai asdjalasburri me mustaqe, brus
që ma pat huazuar aparatin e fotografimit
aparatin “Smena 8” të prodhimit rus
me kursimet e muajit bleva lentën
të mbyllur në kutizë si në shtëpi kërmilli
tridhjetegjashtë kuadrate, po kaq poza
tridhjetegjashtë
ç’më kujton kjo
ah po, tridhjetegjashtë shkronja
e vura në krah rripin e hollë
si një botë
sa e lehtë më vinte bota
në mbrëmje nëna ofshani si t’i kisha rënë mëkatit
ç’na bëre more bir, na i dalldise gratë e fshatit
njërës i shpërthente virgjëria në faqe e buzë
një vajze
ma bëj fshehtas, mos më shoh njeri
po si ta bëj kur kjo vrima këtu do diell
diellin do përballë pamjes
e vinin e vinin më radhë
dikur edhe pleqtë e rënduar të lagjes
duke shkelur mbi lodhjen e sedrën
m’u bënë përpara statuja e monumente
a diçka prej guri e dheu
a veç skelete
heu, po Habibi thua të jetë gjallë
kështu qe si sot, Habibi
“me të hyrë maji me të ikur prilli”
kur imazhet po hynin në kutizë
s’është se bota qe pa ngjyra
qe bardh e zi
sipas metodës së soc-realizmit
me ankth e prita dhe padurimin s’e fsheha
për terminin e foto-negativit
ku të bardhat do të nxinin, do të zbardhte e zeza
në studion “Foto – Zharku”
i pangjyrë dhe indiferent m’u shfaq dhe Zhivku:
është djegur filmi
lëre filmin që iku e më la
po kush më beson tani nga grari e lagjes –
ja edhe një maskara
një e di, mbase ajo që ma kërkonte fshehur
më beson vetëm ajo
që dielli i dashurisë e kishte dehur
thua të jetë gjallë tani Habibi
apo u dogj edhe ai si filmi
në krematorin e mistershëm të Zhivkos.