8 Shkurt, 2018 - 8:42 pm
Vdekja e bardhë / Sibel Halimi
Kur të vdes miku im
Mos shkruani epitaf
Asnjë fjalë mos ma thoni
Zbrazeni nga një
Për frymën time
Kohën e acartë
Kur të vdes miku im
Lotët rrëke mos i derdhni
Kujtoni kur ma rrihnit shpinën
Thuajse më mbani gjallë
Mos u vishni në zi me syze gri
Në të gjallë i doja ngjyrat e natyrën me krejt madhështinë
Miku im kur t`i ofroheni varrit
Kujtojeni kur cakërronim gotat për provimin e dhënë
Të keqen e shkelmuar…
Kur miku im ta hidhni një grusht dhé mbi mua
Copëza balte si rruaza
Qafore gushës sime do t`i bëhen
Miku im, kur secili në homazh para meje të jetë
Gajasuni
Të tillë ju kam dashtë prore
Im mik, mos u rreshtoni për të ardhë tek unë
Rreshtimet përherë luftuar i kam
Ofrohuni tok
Ngrini dolli për mua që ju dhashë një dromcë jete
Do të ngjallem në vitin e brishtë
I fundit që më largohet
lutem
Ma lërë një gotë verë dhe një fletë të bardhë
Kushedi, mund ta marrë ta shkruaj ndonjë fjalë
Edhe në amshim
Faleminderit, miku im!