7 Gusht, 2017 - 2:31 pm
Kjo është një poezi të cilën Din Mehmeti e ka shkruar për Nexhmije Pagarushën. Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e Re.
Këngës i dolën flatrat
Këndoi e këndoi
Derisa u shndërrua në këngë.
Dashuria për jetë
Ia mori zërin
Këndoi e këndoi
Derisa shkundi shkrumbin
E shpirtit të vet
Derisa bulëzuan pranverat
Në zemrat e njerëzve
Këngës i dolën flatrat
Ajo tash fluturon
Mbi të gjitha fatkeqësitë
E vdekja s’ka ç’ti bëjë.