2 Prill, 2018 - 6:00 pm
Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj.
Ai që deri më dje vilte vetëtima nga qielli
sot rrugëve të qytetit shet vargje me gram
Zonja dhe zotërinj
urdhëroni vargje të freskëta çudibërëse
janë të ziera në dhjamë gjarpërinjsh
nga ata që jetojnë në shkretëtirën e shpirtit njerëzor
Kemi nga të gjitha llojet
shërojnë dhimbjen e kokës së kësaj dhe asaj bote
kam vargje për nerva të egra e të buta
shërim a hapje plagësh për të rinjtë që merren me sport
për ata që nuk u pëlqen apo u pëlqen arti
vrasje a ringjallje dashurish
thurje e shthurje komplotesh
sqarime të së kaluarës dhe të ardhmes
vargje për t’iu lutur Zotit të bjerë shi apo të ngrohë dielli
rima të pikura nga vetë qielli
……. urdhëroni urdhëroni
një thesar të tërë vlejnë
ndërsa ju i merrni veç për dhjetë cent
Ai që sot kot vjel vetëtima
iu afrua dhe i pëshpëriti në vesh
për t’i shitur vargjet sot o mixhë
duhet që shteti ta ndalojë poezinë me ligj