23 Mars, 2018 - 2:30 pm
KultPlus ju sjellë një poezi nga Bob Dylan të përkthyer nga Edvin Shvarc.
Njëherë e një kohë aq bukur visheshe
nga një kacidhe lypsave u hidhje kur kaluar ishe, apo jo?
Njerëzit të paralajmëronin: “Kujdes kukull se qafën do thyesh”!
Kurse ti mendoje se ata po talleshin
dhe së qeshurës ia plasje
me të gjithë ata që pranë i qasje,
por tani s’flet më me zë aq të lartë.
Tani nuk ngjan edhe aq krenare
kur për vaktin tjetër të duhet të rropatesh.
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur je pa një strehë mbi krye?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
Vërtet ke shkuar në shkollën më të mirë, zonjushë vetmitare,
por e di fort mirë që vetëm deheshe në të
dhe askush s’të mësoi se si t’ia dilje mbanë në rrugë,
ndërsa tani po zbulon që duhet të mësohesh me këtë gjë.
Pate thënë dikur që kurrë nuk do të bëje kompromis
me endacakun misterioz, por tani po e kupton
që ai nuk po të shet dëngla
teksa e vështron drejt e në boshllëkun e syve të tij
dhe i kërkon të bëni një pazar?
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
S’e ktheve kokën kurrë të shihje mrroljet e xhonglerëve dhe karagjozëve
kur mblidheshin të tërë për të të zbavitur me numra.
Asnjëherë s’e more vesh që nuk ia vlen,
nuk duhet t’i lësh të tjerët të bëjnë qejf me ty.
Dikur bridhje mbi kalin e kromuar me diplomatin tënd,
të cilit i varej në sup një mace siameze,
por sa idhët të vjen kur zbulon
se ai s’qe aty kur duhej vërtetë të ishte
pasi prej teje mori çdo gjë që mundi të vidhte!
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?
Princesha në prag të derës dhe gjithë njerëzit e bukur
po pinë duke menduar se të tëra i kanë të shtruara
po shkëmbejnë lloj-lloj dhuratash e gjërash të çmuara,
por moj kukull, më mirë peng lëre unazën me diamant!
Dikur nga mahnitja pa frymë të linte
Napoleoni me rrecka dhe gjuha që përdorte.
Pse s’shkon tek ai tani, po të thërret, s’mund t’ia prishësh dot
tani që nuk ke asgjë, askurrfarë gjëje për të humbur?
Tashmë je e padukshme, nuk ke më sekrete për të ruajtur!
Si të duket?
Si ndihesh?
Kur duhet t’ia dalësh mbanë vetë?
Pa asnjë ide se ku e ke shtëpinë?
Krejtësisht e panjohur,
porsi një gur që ka marrë tatëpjetën?/KultPlus.com