23 Qershor, 2022 - 9:30 pm
Poezi nga Herman Çuka
më dëgjo!
ti bën një rrëmujë të madhe
mashtruar botën, kërkon
t’i ngulësh një gozhdë,
t’a mbërthesh tek pragu i ferrit,
e ajo digjet në ethe e përsëri, vërtitet
dhe me një luftë të madhe,
kërkon lavdinë e tërë shekujve
të humbur…
por përsëri bota e mëshirshme
e gëlltit brënda vetes,
si barku i nënës
dhimbjet e fëmjëve të prapë,
e përsëri vërtitet
e nuk bie… se i duhet
të mbajë shtëpinë
e madhe,
bashkë me ty, e jashtëqitjet,
mbetjet e riciklimet urbane
dhe ëndrrat e bukura
të një shpirti të bardhë
që i duhet të mbajë gjallë shpresën
…
se ke menduar ?
se, kur të dojë vetë
do t’shpërthejë në dorë
…
prandaj ëngjëjt janë ngjitur më lart se qielli yt, se janë trembur me ty, që kërkon t’a hash botën si një mollë të kuqe
megjith’ kopshtin e edenit
e bota vërtitet… / KultPlus.com