‘Prandaj jetën mos e fut në presje’

17 Qershor, 2022 - 11:45 pm

Poezi nga Herman Çuka

dhe në një perëndim
të kuq, si një avlëmënd
i fillit për fustan dashurie,
ndodh një vdekje

dhe në një agim të shkëlqyer
sikur dielli ka lëshuar diamentet për kurorë
ndodh, gjithashtu

kaq e vogël për horizontin,
i është si një pikë e pashqueshme
për sytë e tij të
përmasës

e madhe, vetëm për njeriun,
kur humb njeriun!

si një arkëmort
ku futet e mbytet
me të vdekurin; dhe globi
dhe hapësira me përmasat
sa një pikë,
si boshllëku ndërmjet karkasave,
kur i pat dalë një peronkë e vogël se ndihej ngushtë,
që se sheh as sy’ i furneralit

dhe horizonti në ngjyrë alle tkurret
aty brënda, si një fije e perit,
t’kuq mes buzëve t’meitit

më patetike, kur ndodh
në mesditë në kohën e drekës
kur gëlon taverna e birra,
e në shtëpi aromë e bukës
së pjekur që pret të kafshohet

asnjëherë nuk është kohë
e bukur…
sidoqë stiliti do t’hedhë pudër
rozë e bërë makeup të rafinuar,
përveç natës,
si tekst i një kënge dark
që i fsheh banalitetin

gjithmonë do ndodhë;
prandaj jetën mos e fut në presje / KultPlus.com

Të ngjajshme