Prishtina

4 Tetor, 2017 - 9:58 pm

Poezi e shkruar nga Shuki Gashi.

Të kërkoj në çdo skutë
në vegimet e mia
rrugëve që u zhdukën
Dje bashkë në kalldërm
të shemben monstrumet
hijen ua shoh në çdo cep
Ata i varrosën ëndrrat tona
që i mbollëm me dashni në Korzo
skalitur trungjeve të alesë
Kaluar mbi kurrizin tënd
veshur me lëkure hienash Blu
në muzgun Ogur Zi t’i thyen qeremidet
dritaret dhe parmakët t’i dogjën
në hirin tënd shurruan dhe dje
Sollën mbi shpinën tënde të djegur
Kalin e Trojës bashkë me Tellallin
që s’flet shqip
Në mamuza xhipash ata ta shembën çatinë
t’vodhën gurtë e kalldrëmeve
Bangat nën kurora blinjësh
Qyteti im askund sot
burgosur nën patkojtë
e Hijenave verdhë e blu
Dhimba ime Prishtine.

@Shukrije Gashi
30 shtator 2017, Prishtinë

Të ngjajshme