24 Janar, 2022 - 5:30 pm
Poezi nga Rozafa Shpuza
Sonata e pritjes
Pritja s’ka formë
krejt si mirazhet e nji rruge t’zhuritun zhegut.
Pritja s’ka peshë
njajtë me tymin e cingareve që pij papra’
n’ate lokalin ku reklama pulson nervoze
shkulme verdhacuke drite.
Pritja asht ajo gota e mbrame e birrës
që mjafton me m’ba njirin ma t’lumtun
a ma t’trishtë n’botë.
Pritja m’shfaqet e tjetërsueme
kur e ndryj me drynjt e varun
n’uren e dashnive t’pamujtuna.
Pritja i pergjet tabares së nanës
që e ruej n’raftin me dru arre,
anipse tejat e kanë qindisë me fantazina surreale.
Pritja nuk ngutet
prejse asht e sigurt se gjithqysh m’gjen n’vendtakim.
Pritja perlotet e zgjatet si hije muzgu
sa here e largoj prej vedit.
Pritja asht tufa thinjave nder tamtha
qe edhe pse i lyej te parukierja e lagjes
e di mire se janë aty, gati me u rishfaqë.
Pritja ka trajten e orës prej rane
ku sekondi ka vleren e nji jete
kesisoj e kam var n’qafë si medaljon
me shpresë se ka me kthy kohën qe m’ka grabitë… / KultPlus.com