16 Qershor, 2022 - 3:30 pm
Nga Sabile Keçmezi-Basha
Sot,
Duke ecur rreth Shatravanit
Dikush më tha
Zonjë, e shikon
Se as Prizreni
Nuk është si dikur
Gur mbi gur
Kujtimet vijën nga baladat
Sokakët janë ngushtuar
Si hartat e atdheut
Atje në theqafje
Blerimi e lumi
Kanë marr trajtë të Rozafës
Pa pra lëngon Lumëbardhi
Vetëm dielli e liria
Si dikur
Kanë të njëjtën ngrohtësi
Të dashur miq
Prizreni nuk është si dikur
Retë shkërmoqen nga rrufet
Mesazhet me tri të panjohura
Vijnë turrshëm
Nga Kalaja e Krujës
Tek Kulla e Ymer Prizrenit
Prizreni nuk është si dikur
Ekuacion me tri të panjohura
E unë,
Edhe ju,
Në çdo kohë
Folëm e flasim ilirisht
Pa u dridhur qerpiku
Në kalanë që prore sogjeton
Kohët beronjë
Megjithatë,
Prizreni nuk është si dikur
I ringjallur nga rrebeshet
Në stinët që shkojnë e vijnë
Duke u puqur në mes veti
Me të njëjtin zjarr. / KultPlus.com