20 Prill, 2019 - 12:00 pm
Poezi nga Ali Podrimja
Pse nuk më thua diçka miku im
Pse nuk më thua bie fjala
se do ta shoh prapë Lumin
duke i marrë erë trëndafilit
duke m’u kacavarur rreth qafe
me qershi në gojë
Pse nuk më thua miku im
se do kemi gjithçka edhe ne
se për gishtat fort do ta lidhim lirinë
Pse nuk më thua miku im
qershitë janë syri i pranverës
Se do të vrapojmë patjetër
pas qengjave
pas pëllumbave në qiellin e haptë
Hajt miku im i mirë më rrej diçka tekefundit
më rrej diçka të lutem
Shpirtin ma qetëso
Më trimëro
para Ujit të Madh.