16 Dhjetor, 2018 - 11:00 am
Poezi nga Sergei Yesenin.
Puthmë moj e dashur puthmë
Gjer në dhimbje gjer në gjak
S’e duron dot ftohtësirën
Zemra ndezur zjarr e flakë
S’është kupa e përmbysur
Mes gazmorëve për ne
Ti një gjë kupto moj mike
Veç një herë rron mbi dhe
Shih në mes të errësirës
Hënën që shkëlqim vërshon
Sikur t’ish nje korb i verdhë
Përmbi tokë fluturon
Puthmë de se kalbësia
Këngën time ma këndoi
Ka të ngjarë qielli lart
Fundin tim parashikoi
Eh moj forcë që venitesh
Do të vdes kjo s’ka dyshim
Vetëm dua t’i puth mikes
Buzët gjer në fundin tim
Që pa turp edhe pa drojtje
Embëlsisht kur t’ëndërroj
Tok me shushurima vishnjesh
“Jam e jotja” – të jehojë
Që si shkuma përmbi kupë
Drita mos na shuhet ne
Ndaj këndo moj mikja ime
Veç një here rron mbi dhe.
(Shqipëruar nga Jorgo Bllaci)\