Qenie, varr as frymë

4 Dhjetor, 2018 - 1:00 pm

Poezi nga Jusuf Gërvalla.

Një shishe hermetike
grykëngushtë
lëfytgjatë
në murin prej argjile
në detin e ëmbël
në lëkurën me pore drite
në ballsam të largët egjipti
një një të miliontin yll
në çdo kristal
në çdo gur të çmuar.

Bima mugullon në terrin e tokës
në qullin e baltës
qenie, varr as frymë
sy i zbrazët
nga gjithë bukuria mbeti vetëm kjo
e prekshme e flakët dhe e pakuptueshme.

Seç po lebetitem po më dridhet buza
zëri im i djeshëm se ku u bë
amshim i zbrazët
si syri që më sodit me plotëninë e trilluar
i ndritshëm e i thatë si mermer i zi
dashuria e të çmendurit nga frika
mes të gjithëfuqishëmve
një gogol druri mbuluar me të tharat e vjeshtës
një leckë e një enë e ndryshkur
ca pulla sedefi.

Në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës
e syri i zbrazët në roje sodiste
dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme./KultPlus.com

Të ngjajshme