‘Qetas’, poezia tjetër finaliste e konkursit të poezisë ‘KultStrofa’

28 Dhjetor, 2019 - 11:52 pm

Poezi nga Vlora Kozhani. Poezia është në mesin e dhjetë poezive finaliste të edicionit të tretë të konkursit ‘KultStrofa’, organizuar nga KultPlus – gazeta e parë shqiptare online vetëm për art e kulturë.

Qetas,
marr vetën si zonjë e rëndë në botë qullnash
që kanë gatuar burrat ma zi e ma keq (mazamakeq)
Heshtas,
tërheq llëret e pres rrënjët prej konopësh
që përditë i trashën e i përdrodhën mustaqokët

Pa zë,
pres zërin tim të brendshëm të mosbesimit
shkoj tutje duke drejtuar qafën time
që kaherë më mbante kokën ulur, kërrusur, për dënesje
Shtruar,
hedh prapa krahëve suflerët që jargojnë kaptinat e qindshekujve

kanunore e profkash
Profanët shitën shumë mend, vranë mendësi, ndalën kohën
e ziejtën me dekada fasulen e njëjtë veç shtonin ujin
Pritëm gjatë në tigane kavërdisjesh për ta egzaltuar vetën tonë.

Të ngjajshme