‘Qysh me e kornizu kohën- formulë e dështueme’ nga Valmira Rashiti, fituese e çmimit të dytë në konkursin e poezisë ‘KultStrofa’

23 Nëntor, 2024 - 4:59 pm

Valmira Rashiti

Me kohën, së fundmi, kemi qenë në një marrdhënie intime.
I kam marrë kajmakun e ndjeshmërisë!
Tana herët, kam qenë e vetëdijshme
që më ka përshku, qysh më ka përshku.
Si këmbim, kohës i kam dhanë
melankolinë teme, kujtimet e mia.
Kam tentu këto të fundit me i këndu në poezi,
po siç thoshte Shkreli,
fjalët janë bë thnegla e prush, spo rrijnë në vargje.

E kam kundru kohën, herë buzagaz, herë e përlotun.
Kam qajtë, kur vëllau im u bë babë i një çapkëneje
kam qeshë, me shashtisjen e parukieres,
kur e zbuloi që më kanë dalë tri thinja në kokë.
E kam dëgju pa bëzajtje nanën,
kur më ka tregu që kanë fillu me i dalë piklat e pleqnisë në duar.
Në atë moment i jemi dorëzu bashkë një hullie mendimesh,
iluzioneve, të të pasurit kohë.
E kam kundru në qetësi edhe babën,
fizikun e tij më të dobët, flokët dita-ditës më të rralluar.
Jam hamendë nëse për çdo fije floku të Verës, mbesës sime,
mua më zbardhet një, nanës tri, e babës i bijnë dy.
Të qenurit tonë, duke liru vend për të qenurit tjetër!

Do ditë, jam përhumbë tërësisht në përllogaritjen e kohës.
Jam kapë nëpër momentet e saj, si me qenë ato degë,
sosh mjaft të brishta, sepse s’më mbanin,
më hudhnin poshtë, me mohim.
Shndrroheshin shpejtë, nga momente – në kujtime!
E më kanë paralajmëru që me mbetë duke u kapë në kujtime
di të jetë e rrezikshme.
Nganjëherë, kam dro, mos humbas sensin e realitetit.
Por ja, kështu, po e kaloj kohën,
duke jetu manifestimet e saj,
Nën iluzionet apo deluzionet
e të pasurit
kohë!/ KultPlus.com

Të ngjajshme