Rapsodi shqiptare

16 Gusht, 2024 - 7:30 pm

Agim Vinca

Keni qenë te burimi i Drinit të Zi
në Shën Naum, në Jug?
E keni parë si rrjedhin ujërat e tij
si një lirikë e butë.

Keni qenë te burimi i Drinit të Bardhë
në Bjeshkët e Nemuna, mes shkëmbinjsh?
E keni parë si gjëmojnë ujërat e tij
si këngë kreshnikësh.

Keni qenë te burimi i Drinit të Zi
në Ohër, në Strugë?
E keni parë si vajtojnë ujërat e tij
si një gërnetë në muzg.

Keni qenë te burimi i Drinit të Bardhë
në Radavc të Pejës?
E keni parë si dridhen ujërat e tij
si telat e lahutës.

E keni parë. si rrjedhin lumenjtë tanë
nëpër gryka e male.
I keni dëgjuar meloditë e tyre
Rapsodi shqiptare.

1982 / KultPlus.com

Të ngjajshme