8 Mars, 2020 - 11:01 am
Poezi nga Ilire Zajmi
Zgjodha të jem gruaja që do të bëhesha
kokëfortë, egoiste, tekanjoze, mace e çmendur
për trupin dëshirat ëndrrat e mia
pa dyshuar kurrë te vetja
mora gjithmonë atë që më takonte
pa hequr dorë në emër të ndonjë marrëzie
e ruajta me xhelozi diçka të shenjtë brenda vetes.
Por të bëhesh gruaja që do
do të thotë të kalosh nëpër vrimën e gjilpërës
të shkelësh mbi dhimbjet e tua si mbi varret e armiqve
të gjesh forcë në dobësi
të qeshesh kur të thyhet shpirti në thërrime
të ngritesh sa herë dikush ta përmbys botën
në emër të një dreq morali a kanuni
Të bëhem e sinqertë
të bëhesh gruaja që do
është një detyrë shtëpie tepër e vështirë
por unë që nga zanafilla u përbetova
të bëhesha ajo që dua.
Bëjeni edhe ju! / KultPlus.com