Rënkimi

21 Korrik, 2018 - 9:17 am

Ali Podrimja

Qaj, rrafshi im i dashur, qaj!
Diellin tënd verbuar ta kanë tytat
e vatrat shkimbur deri në një;
zogun në qiell vrarë ta kanë – me duar të mia të çara,
me rrashta tona t’shpuara mbuluar t’kanë.
Qaj,
rrafshi im i dashur, qaj!
Në flakën e oxhakut, t’oxhaqeve tona therë e pjekur kanë deshtë me këmborë, pragje thyer e konaqe mbyllur.
gjakun pijë na kanë në sofrën tonë
e na – vdekur kemi për mbretër, sulltanë…
Qaj,
rrafshi im i dashur, qaj!
Gjak e rrashta në ty kam shkelur konak e më konak duke të të rënë; dasmën me dy tre krushqi e kam bërë e dekën jashtë pragut si sytë e ballit nxjerrë e kam kur na kanë gjuajtur,
kur na kanë vrarë.
O, qaj tokë e dashur, qaj!
Plepi im qiellin do të shpojë, plepi im i kallur –
qiellin e humbur maje një shpate.

Të ngjajshme