9 Dhjetor, 2017 - 1:03 pm
Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.
Ri mbështetur në tryezë
Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë,
Pa vjen malli të më ndezë
Zjarr në zemër, zjarr në ballë.
Asohere dyke pritur
I marr tëmbëlat nër duar
E qëndroj krye-venitur
Me vështrim në kraharuar.
Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime —
Pasi flakë e posi hije
Ajo ryn në zemër t´ime.
E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale-nga-dale,
E si fjalës së palosur
M´i hap kindën e një pale…
Unë qit një psherëtitje,
Thyem pak e zë të shkruaj,
Dhe më shkon më një pulitje
Kur një dit´ e kur një muaj.
Mëndjen t´ime-e merr dëshira,
Ndjej në gjit një këngë gjaku,
M´i fal syrit plot çudira
Këjo odë varfanjaku:
Këjo oda s´ka mënyrë
Ku të kryet, ku të nisë
Ndaj më ndrin si në pasqyrë
Drita e Përjetësisë.
Po çudi tani më fal-ti,
Zjarr, që djeg në shkrepëtimët!
Dyke ngjitur për së nalti
Fërfëllon një flakë-a himët…
Me kullim të pashteruar
Ajo del prej vetes s´ime,
Del nga shpirt´ i përvëluar
Nër një mijë shkëndijime.
E si shkoj që prej së felii,
Ç´ m´u verbosnë-o! syt´e mija?
U nxi dheu?… U shua qjelli?…
U bë natë gjithësija?…
S´është gjë: veç yll´i vetë,
Më s´më djeg në kraharuar:
Unë shoh me gas të qetë
Këngëzën e përvëluar.