24 Qershor, 2024 - 5:09 pm
Sali Bashota
Asgjë nuk i ngjan më shikimit tënd
Ndonëse pritja hidhërohet me dashurinë
Tashmë imagjinata aty ka zënë vend
Edhe kur qielli mësohet me vetminë
Asgjë nuk ndodh as në mesnatë
Ndonëse hijet tashmë kanë ikur
Malli vjen nga e njëjta shtërngatë
Edhe kur të gjithë qirinjtë janë fikur
Asgjë nuk pëshpërit pa zërin e bekuar
Dikur “më shumë dritë” kërkonte Gëte
Nuk dridhen buzët në lojën e mashtruar
Të dashuruarit i marrin ëndrrat me vete
Çdo gjë fundoset e ringjallet përsëri
Hyji i dashurisë e ndjek yllin e vet
Poetët udhëtojnë deri në pavdekësi
Këto gjëra do të përsëriten me mijëra vjet
(Prishtinë, 24 qershor 2024) / KultPlus.com