26 Shtator, 2021 - 12:18 pm
Nga: Arbër Selmani
…rraskapitëse, kur duhet ta ujisësh një burrë më shpesh se dafinat,
një burrë,
që nuk çel nur.
Gati gati njëjtë ndihesh,
ta duash një burrë,
të përcëllohesh në pikun e ankesave të tij,
të hash prej thasëve ku është ngarkuar një neurozë e shkalluar,
mbyllur në banjo, me duart mbi dy veshët, të ikësh prej tij si prej breshërit,
t’i mallkosh grekët që kaq shumë i dhanë autoritet dashurisë.
miliona burra, edhe ata nëntokë, edhe ata mbi dhe,
krejt çka duan është të shpëtojnë prej vetmisë.
Laja këmbët, puthja ballin, mbushja barkun, jepja seksin
Duaja motrat, pauzoje larjen se ai është vonë për punë, recitoja manifestin e kuzhinës,
Falja vonesat, kujdes se e kripose si shumë atë dreq sallate, ajrose atelienë,
Lustroja këpucët, këndoja këngët që i pëlqejnë, përkëdhele maçokun e tij, shporre maçokun tënd
Hapja këmbët, mbyllja këmbët, hape gojën, gëlltitja dhëmbët e zi prej dërrmimit.
Ta duash nje burrë, nuk na e mësuan kurrë
nuk pati katedër, as shkollë, ishim shumë nxënës,
të etur të lexonim,
të groponim
në teatrin ku gjithmonë denjësia e madhështia
i bien si fat, një burri.
Hapja këmbët, mbyllja këmbët, preja mollët dhe kumbullat, bekoja vetëm faktin që ekziston,
jepja trupin tënd,
por stuhishëm, me copat e akullta të jetës që të kanë mbetur në fyt,
merre prapa dhe përqafoje se është tempulli yt.
(copëz, 2021)