29 Mars, 2025 - 10:30 am
Poezi nga Abdullah Sidran
Ranë granatat
ranë bombat
njëra prej tyre ra në dhomën ku rrinim
kurse ai as nuk më ngrohu
lufta është e keqe e madhe e cila s’ndalet
vjen në shtëpi hyn në shpirt
pastaj e merr me vete edhe shtëpinë edhe shpirtin
kurse mua më duhej
thjesht të më ngrohte me përqafim
fshehem kur qaj
fshehem kur urrej
fshehem nga fëmijët
vetëm një herë të më kishte përqafuar
për mua nuk do të ekzistonte më lufta
do të kalonte para meje
tmerri i cili ec rrëshqanas dhe e shkatërron tokën
merr me vete qytetet, shtëpitë
i thyen shpirtrat
treqind ditë luftë
kurse ai ende as nuk më ka përqafuar
treqind ditë e treqind net
lufta nuk ka shpirt as sy
ka shumë kohë që jemi bashkë
dhe e di se dashuria harxhohet
si paratë, si kujtimet
por përreth nesh ende bien granatat
kurse mua më duhet
thjesht të më ngrohë me përqafim
Përktheu: Vehbi Miftari / KultPlus.com