Rregullat e vetmisë

12 Prill, 2020 - 7:28 pm

Poezi nga Sali Bashota

RREGULLAT E VETMISË

S’është dashur të mërziten ëndrrat
Ashtu siç thonë poetët
Pse jeta ka kaq shumë dhimbje
Kur vjen e diela tjetër e ngujimit
Me plasë ecja në karantinën e vet

S’është dashur të mërziten as përqafimet
Ashtu siç thonë poetët
Me pa si vjen pa paralajmërim dashuria
Me çelësin e pritjes së shkrumbuar
Vetëm deri tek dera aman
Kur çmendet edhe zjarri i buzëve
Pa kafenë e mëngjesit në “Symphony”
Pa ia shtrënguar dorën miqve të dashur
Pa ndërruar as një fjalë për poezinë
Në mbrëmjet e vona në “Amaro”

S’është dashur të mërziten as zogjtë
Pse qielli hatërohet me heshtjen e vet
Si toka me mungesën e hapave të rëndomtë

S’është dashur të mërzitet
As qetësia e dëshpërimit të shpirtrave
Ashtu siç thonë poetët
Së paku për rregullat e sakta të vetmisë


Të ngjajshme