11 Shtator, 2018 - 11:10 pm
Natën kur flija, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë e në Varr s’ka lumturi;
Ngrehu! Sa rron, zbras Kupa dhe puth Çupa
Ke shekuj që të flesh në qetësi.”
2
Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte,
Një zë nga Taverna po gjëmonte:
“Çohuni, djem, e Verë sillnani,
Se fati na e thau lëngun sonte.”
3
Dhe posa në Tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrën: “Portat çeli!
E shkurtër është jeta, ja, u plakëm
Dhe mbeti si kofini pas të vjeli.”
4
A e dini përse këndesi po këndon
Menatë dhe nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, shkujdesur, fle dhe ëndërron.
5
U gdhi! Me verë zemrën zbardhëlloj
Përdhe çdo Fe të Natës dërrmoj:
Në Djall Parajsën e përjetë dërgoj,
Gërshetin me Llaut’ e lavdëroj.
6
Kur Diellin, me zjarr kurorëzuar,
E pret nga pas Natyra faqeshkruar.
Shoqen me mall e shoh n’gjumë shtruar
Dhe foshnjen buzëqeshur më të zgjuar.
7
Ja, Kup’ e Qiellit skuqet prej Agimit,
Bilbili nisi këngën e dëfrimit
Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,
Natyra qesh; nëm Qelqin e Rubinit.
8
Zgjohu! Mëngjesi me shigjet’ e grisi
Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze stisi
Malet, pallatet e majë çdo lisi.
‘Rubairat’ (2) – Omar Khajami
Shqipëroi: Fan S. Noli