19 Mars, 2021 - 3:50 pm
Nga Rinor Murati
U zgjuam me klithmën e mëngjesit,
Me agimin si kurrë më parë,
Me britmat që trupat rrëqethnin,
Me plagët që s’mund ti falë.
Grumbull komshinjsh të dalë,
Me duar në kokë si kurrë më parë,
Eca dalë ngadalë,
E dija por isha pa fjalë.
Të atë e ëmë përballë,
Mbuluar me çarçafë të bardhë,
I doja e për atë si bëja ballë,
Asaj që më la pa fjalë.
Ikën të dy pa i parë,
Në agimin e hershëm plot plagë,
Në botën ku je rob i robit të gjallë,
T’përbuzë, t’dhunon e t’vranë.
E dinim se këtë do ta shihnim që parë,
Por heshtëm se ndarjes si bëmë ballë,
Duruam grushtime e rrahje pa ndalë,
Se dashuria për ta s’përshkruhet me fjalë.
…
I dashur baba,
Sa mëkatin bëre mbi gruan pa faj,
Sa dhuna që kush me sy s’kishte parë,
Sa lotin ia nxore e zemrën plot plagë,
E bleve me para atë rob ti vallë?
Sa britma, sa dhimbjet e shpirtin varrë,
E mjera a t’u betua ty për ta vrarë?!
Pastaj për shpagim ti ktheve atë armë,
Për t’ikur dhe ti, por faji baba, mbetet faj.
Ikët që të dy për mos tu kthyer,
Pa na thënë zgjohuni mëngjesin gati keni,
Po pjatat mbi tavolinë të tëra qenë thyer,
Lamtumirën e pathënë prap po ua themi.
Do na mungojnë britmat, grushtimet e lotët,
Do na mungojnë vuajtjet e fjalët e nënës,
Do na mungosh dhe ti që nënën e vetën qëllove,
Edhe pse historinë më të zezë na sollët,
“Nënë”, “Baba”, do na mungojnë këto fjalët që me dashuri kurrë s’na latë të shqiptohen.
(Dedikuar viktimave të dhunës në familje.)
Raportojeni para se të bëhet vonë! / KultPlus.com