8 Janar, 2022 - 5:00 pm
Poezi nga Aleksander Pushkin
Përse moj hënë argjendore,
ti larg nga retë pa pushim,
përmbi kanatet e dritores,
vërshon të mëkurin shkëlqim?
Sa herë që më shfaqesh ti,
në shpirt më zgjohen shqetësime,
dhe brenga plot me dhembshuri,
dëshirë plot me flakërime.
Oh,ikni,ikni o kujtime!
o dashuri fatkeqe fli!
O,le të mos më shfaqet më,
te perdja e errët ne dritare,
nën dritën tënde argjendore,
fytyr’ e dashur si gjithnjë,
fytyr’ e embël engjëllore
e vashës që s’do ta shoh më.
O embëlsi e dashurisë,
plot ledhatime,plot me gaz,
plot me shkëlqim të lumturisë,
a mund të kthehesh rishmez pas?
I shpejtë porsi një vegim,
me ndrite ti në fluturim;
U zhdukën hijet krejt papritur,
se erdh agimi menjëherë,
dhe ti moj hënë e ndritur
në qiell u mbyte atëherë!
Agimi dritën pse shpërndau?
Nga vash’ e shtrenjtë pse me ndau?./KultPlus.com