10 Mars, 2022 - 9:45 pm
Gianni Miniello
Ndonjëherë pyes veten:
si ia doli brezi ynë
të mbijetonte me ushqim
që përmbante laktoze?
Si ishim në gjendje të rriteshim
pa homogjenizues, shtesa ushqimore,
hormone dhe multivitamina?
Si kemi jetuar
pa Cola zero, Red Bull,
aperitivë dhe long drinks,
nëse prisnim të dielën
për të pirë ujë të gazuar
me pluhura të tretura?
Si i kalonim
dimrat e ashpër
me bukë e vaj e kripë
pa Nutella
dhe imunostimuluesit?
Sa të kënaqur ishim
me ushqimin e pasdites,
bërë nga buka, gjalpi dhe sheqeri,
pa përdorur shtrydhëset
e frutave dhe perimeve?
Si i kalonim
mbrëmjet e verës
me një thelë shalqi në rrugë,
pa dyndjen e happy hour?
Si e duronim
dënimin e një profesori,
dhe e përqafonim kur e takonim
pas shumë vitesh,
pa e sulmuar atë
me miratimin e prinderve?
Si kemi bërë
që jemi dashuruar me shokun e klasës
pa gjoksin e depiluar
dhe pa një fizik si bodybuilder?
Si kemi mundur
të bënim pa trajnerin personal,
pasi luanim vetëm futboll
në terrene të baltosura,
ndërsa shoqëruesi më i pafat
ishte gjyqtar?
Si mbijetuam
Me gjunjtë e bërë copë
dhe të dezinfektuar vetëm me pështymë,
pa përdorur antibiotikë
antiseptikë dhe mjekime?
Si ia bënim
që takoheshim me të dashurën
nëse nuk kishim celular
dhe SMS-të e vetme
ishin një shënim në ditar
dhe një puthje me rrezik?
Si pranonte të dilte me ne,
nëse shkonim ta merrnim në këmbë
duke e ditur se donim
t’i jepnim krahë?
Si mundeshim
të shkruanim poezi
dhe kompozonim këngë
pa përdorur një kompjuter?
Si ia dilnim xhanëm
të prisnim për një kohë të pafund
për të dhënë puthjen e parë?
E megjithatë,
brezi ynë
Nuk rrinte deri në mëngjes
por dinte të ëndërronte.
Sepse ushqimi më i shëndetshëm
që e ushqente atë,
ishte shpresa!/ KultPlus.com