25 Janar, 2023 - 7:18 pm
Daut Berisha, mjeshtri i pikturës me një karrierë mbresëlënëse në kryeqendrën botërore të artit, vdiq të hënën e kësaj jave në Prishtinë, ku erdhi së voni, kur iu rëndua gjendja shëndetësore. Ishte 76 vjeç. U varros të mërkurën po në Prishtinë. Kanë qenë familjarët e tij të afërt që e kanë konfirmuar lajmin.
Shkrimtari dhe studiuesi Sabri Hamiti e ka përkujtuar mikun e tij nëpërmjet një poezie të cilën e keni rastin ta lexoni më poshtë:
ZÍ PËR PIKTORIN E MADH E MIKUN E MADH,
DAUT BERISHA (1946-2023)
DAUT BERISHA
Ti punëtor i përkohshëm në Paris
Me kokë e mjekërr
E me këmishë të zezë,
Nga vendlindja bart pezmin
Me të cilin zonjave ua prish gjumin
E u fal ëndrra të rënda,
Pëlhurat i shtin rrotull nëpër derë
E i nxjerr të mëdha sa vetja nëpër dritare
Duke trembur stolitë e mureve,
Ky shekull yni s’është i pakufi
Dhe ne s’do të jemi gjithherë
Pos gjurmëve të lëna nga Vetja në Botë,
Nesër do të shihemi si një Pëlhurë
Në të gjitha gjuhët e botës,
Libër i hapur i shpirtit e durimit
Të falem për heshtjen e prishur!
(Nga libri poetik “Trungu ilir”, 1979) / KultPlus.com