Shekujt mbrujnë ardhmëninë

6 Mars, 2023 - 7:30 pm

Avni Dehari

(Për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së)

Eh, Prekaz, Prekaz…!
Prekaz i vogël, sa një grusht,
Prekaz, i madh, i pakufi,
Mal e fushë lulëgjakesh,
Këngë frymëzimi,
Burim, lumë, det, oqean,
Diell për Liri!
Në Prekaz,
Në Kullën e Jasharajve,
Shekujt, që shkojnë e vijnë,
Hartën shtrijnë,
Çdo cep të Atdheut
Me Diell Lirie qëndisin!
Në Prekaz,
Në Kullën e Jasharajve,
Ku plumbat
Në gjokse
Si në ujë u shuan,
Ku tanket
Si në legjendë u ngrinë,
Ku aeroplanët
Si zogj të plagosur
Në qiell humbën fluturimin,
Ku predhat e topave
Në parzmat ― flakë Lirie, u shkrinë,
Bajlozët, para Gjergj Elez Alisë,
U përgjunjën, kokën thyen!
Në Prekaz,
Në Kullën e Jasharajve,
Me Diell Lirie, që lind,
Nga gjokset e burrave,
Nga gjokset e grave,
Nga gjokset e pleqve,
Nga gjokset e fëmijëve,
Shekujt, që shkojnë e vijnë,
Mbi hartën e Atdheut
Mbrujnë ardhmëninë!/ KultPlus.com

Të ngjajshme