1 Prill, 2023 - 8:03 pm
Të enjten, më 30 mars 2023, në orën 11, në Shtëpinë Studio Kadare në Tiranë, u organizua një aktivitet i veçantë letrar, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Sadik Bejkos, njëri ndër poetët më të njohur dhe më të rëndësishëm të poezisë së sotme shqipe.
Manifestimi u organizua nga PEN Qendra e Shqipërisë, në cilin aktivitet morën pjesë shkrimtarë të nga Shqipëria, profesorë, gazetarë, miq të autorit, si dhe anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu dhe Sali Bashota.
Nën moderimin e Entela Kasit, kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë, fjalët kryesore për jetën dhe krijimtarinë e Sadik Bejkos, i paraqitën Rudolf Marku dhe Sali Bashota.
Gjithashtu, diskutuan edhe Josif Papagjoni, Bujar Leskaj, Ymer Çiraku, Natasha Lako, Pandeli Koçi, Zyhdi Dervishi, Piro Loli, Çerçiz Loloçi, Brisi Trajko etj., ndërsa aktori Timo Flloko lexoi poezi të zgjedhura nga krijimtaria poetike e Sadik Bejkos.
Poeti Sadik Bejko u nderua me Mirënjohje të Veçantë, për kontributin e çmuar në promovimin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare brenda dhe jashtë kufijve. Në emrin e PEN Qendrës së Kosovës dhe PEN Qendrës së Shqipërisë, mirënjohjen ia dorëzoi Binak Kelmendi.
Në drekën e organizuar nga familja ishin të pranishëm edhe shkrimtari Ismail Kadare, znj. Helena Kadare dhe Bujar Hudhri./KultPlus.com