Shinto

4 Shkurt, 2018 - 3:50 pm

Jorge Luis Borges
Nga origjinali në shqip: Butrint Haxhaj

Kur vuajtja na flak poshtë,
për një çast shpëtohemi
nga gjërat më të papritura
të ndërgjegjes ose kujtesës:
shija e një fruti, shija e ujit,
ajo fytyrë e kthyer te ne prej një ëndrre,
jaseminët e parë të nëntorit,
dëshira e pafundme e busullës,
një libër që menduam se ishte i humbur përgjithnjë,
dridhmat e një heksametri,
çelësi i vogël që hap një shtëpi për ne,
aroma e një biblioteke, ose e drurit të sandallit,
emri i vjetër i një rruge,
ngjyrat e një harte,
një etimologji e paparashikuar,
butësia e thoit të lëmuar,
takimi që ne kërkonim,
duke numëruar dymbëdhjetë tinguj të kambanës,
një dhembje fizike e papritur.

Tetë milionë hyjni Shinto,
fshehtas, udhëtojnë nëpër botë.
Këto hyjni modeste na prekin,
na prekin ne, dhe na lënë.

Të ngjajshme