19 Qershor, 2019 - 10:41 am
Poezi nga Wolfgang Borchert
Përkthyer nga Arben Lepaja
Shiu ec si një plakë
me mërzi të heshtur nëpër tokë.
Flokët e lagur, mantelin e përhimët,
nganjëherë ngre dorën lart.
E troket e dëshpëruar nëpër xhama
ku lëvizin fshehurazi perdet.
Vajza duhet të rrijë brenda
e mu sot është kaq plot hare!
Atëherë e kap fryma plakën për flokësh
e njollat e saj bëhen njolla të egra
trimërisht i lë fustanet të fluturojnë
dhe kërcen vegullisht si një zanë!
Wolfgang Borchert (1921-1947), është poet dhe dramaturg gjerman. Shumica e krijimtarisë së tij letrare, përshkruan përvojën në ushtrinë hitleriane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Poezia e tij, ashtu si edhe jeta, përshkohet nga notat e theksuara meditative për fatin e pashmangshëm që jo të gjithë arrijnë ta përballojnë me burrëri. /B.M/KultPlus