24 Shkurt, 2019 - 10:50 pm
Poezi nga Filip Shiroka.
Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue;
n’Shqypni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’gjytet tim!
Shndet prej mejet të m’i falesh
saj’ shpis’ vjetër ku jam le,
me ato vende rreth t’përfalesh
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!
Shko n’at shkollën ku jam msue
me shokë t’mi, shokt e fmnisë,
shko n’at Kishë ku kam urue
t’parën Uratë Perendisë,
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!
Me ato male, me ato kodra,
me ato prronje rreth t’përfalesh;
n’ato fusha qi m’ka Shkodra,
të lulzueme, aty t’ndalesh,
tue këndue me ambëlcim:
fal me shndet gjytetit tim!
T’mujshe edh’ un me fluturue,
dojsh’ edhe un me u nisë me ty,
dojshe n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at vend me sy!…
Por… ti shko atje flutrim;
e ti qajma fatin tim!…