Shkuan

6 Janar, 2025 - 7:59 pm

Poezi nga Nerimane Kamberi

Shkuan ashtu si erdhen,
për toke, për qielli,
pritje të gjata në kufi,
pritje për t’i parë fytyrat e dashura
vonesa të mëdha në aeroport,
vonesë për çastin e përqafimit.
E deshtën atdheun marrëzisht,
e shanë atdheun tinëzisht,
hoqën mall e na lanë mall.
Për çka të ka marrë malli, biri im?
Bëra pite me spanaq, edhe një me kungull,
Pasul në tavë, me turshi,
Embëlsirën me vezë, si të nonës, ta bëj
tash sa ta kthej një mesazh.
Lëshoj qesen me pazaret, vë përparësen,
prit sa ta dërgoj këtë email.
Nanë, e pijmë një verë të nxehtë në shesh ?
Po, pas mbledhjes sime.
Përqafohemi nën një mijë e një yjet
të qiellit të katundit,
urime ky vit i ri.
Shpejt, biri im, mos të na ik asnjë çast,
Shpejt, shpejt, shpejt, shpejt….
A do të vish verës?/ KultPlus.com

Të ngjajshme