7 Nëntor, 2024 - 6:20 pm
Poezi nga John O’Donohue
Përktheu: Enver Robelli
Ditën kur barra
mbi supe të bëhet
e padurueshme
dhe qorrollisesh,
bota vallëzoftë
dhe drejtpeshimin ta ktheftë.
Kur sytë
pas dritares së hirtë
të bëhen akull
dhe fantazma e humbjes
të kaplon,
një tufë ngjyrash ardhshin te ti,
të kaltra, të kuqe, të gjelbra
dhe bojë qielli
për të të zgjuar nga gjumi
si shokët.
Kur ekrani
i të menduarit plasaritet
dhe një njollë oqean
rritet nën ty duke u nxirë,
një shteg i verdhë i dritës së hënës
u shtriftë mbi valë
dhe të sjelltë të sigurt në breg.
Ushqimi i tokës qoftë yti,
kthjelltësia e dritës qoftë jotja,
uji i oqeanit qoftë yti,
mbrojtja e të parëve qoftë me ty.
Dhe një erë
e lehtë i sjelltë
në gjirin tënd
këto fjalë
të dashurisë,
si një pallto të padukshme,
që jetën ta mbron. / KultPlus.com