20 Dhjetor, 2019 - 11:48 pm
Ka disa ditë që ka përfunduar konkurrimi për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’.
Në këtë edicion, konkursi mbarëkombëtar ka arritur të grumbullojë 181 poezi nga 181 autorë dhe të interesuar.
Juria profesionale e këtij konkursi e përbërë nga: Përkthyesja, publicistja dhe ekspertja ndërkombëtare, Mirela Kumbaro – kryetare e jurisë, akademiku Bardh Rugova dhe profesori, studiuesi dhe shkrimtari Anton Berishaj, më shumë përkushtim kanë bërë vlerësimin e poezive dhe kanë zgjedhur 10 poezitë finaliste të këtij konkursi.
Finalistët e konkursit janë: Liridona Bytyçi, Uresa Ahmeti, Afrim Demiri, Adela Kale, Flutur Mustafa, Merita Berdica, Plator Gashi, Vlora Kozhani, Enes Lekiqi dhe Rudina Cupi.
Mbrëmja finale dhe poetike e këtij konkursi do të mbahet ditën e hënë, më datë 23 dhjetor, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery. Në këtë mbrëmje do të jenë prezentë finalistët e konkursit ku edhe do të lexohen poezitë dhe do të shpërblehen tri vendet e para fituese.
Ngjarja është e hapur për të gjithë.
‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë KultPlus, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus. / KultPlus.com