5 Nëntor, 2017 - 1:50 pm
Poezi e shkruar nga Ragip Sylaj.
Ajo është ama e dashurisë
Dhe e mylkut
Në myjën e dimrit
Është zjarri
Në kulmin e vapës
Është flladi
Aty është djepi i legjendave përrallave
I vajeve dhe i këngëve
Aty përkunden vdekja dhe jeta
Fuqia e ëndrrave harbon pranverën
Griha e vuajtjeve mpreh mendimin
Zanat plot dalldi hyjnë e dalin
Për Shën Gjergj e për Bajram
Mbi të fryjnë erëra mallkimi
Por nga brendia e ruan Ora e saj –
Perëndia e shtëpisë
Ajo i jep bukë të panjohurit
Të përndjekurin e merr në mbrojtje
Kur mbetet shtatzënë me engjëj
Sh’pia e madhe vjetrohet
Pjell shtëpitë e reja
Gjella jonë këndon
Në hatulla, n’tavan e n’kulm
Sh’pia me zemër të madhe
(2017)