5 Shkurt, 2020 - 6:51 pm
Nga Eli Krasniqi
Shpirt, po bjen borë n’Prishtinë,
të gjithë janë gëzu, mue mu lagën shputat
se çizmet e vjetra kanë ecë shumë këto vjet
tu kërku pranverat e mëshefuna.
Qyteti asht ba i bardhë, nuk më njeh ma,
në rrugë shoh të rinjë tjerë
sikur na, mendojnë që revulucioni bahet
neve na u deshtë me përbi revulucionet
me i marrë ngryk së pari, me na i ndje vorbullat
e gjakut në gji.
Revolet e heshtuna. Dashnitë e burgosuna.
Unë ka do ditë që ndihem që jam plakë, do ditë çohem
si fëmi. Ato mëngjese janë të çuditshme kur i shoh vijat nër sytë
e mi.
Vazhdoj hala me gjurmu të kalumen, nëpër arkiva, nëpër
rrëfime njerzish. Ty nuk të gjej jashtë vetës.
Brenda meje të kam shterrë.
Paloj rrobat në kofera, prenotoj hotele,
udhëtime nëpër qytete, tu i ndjekw pas-ardhësit e skllevërve të zinj
më dhemb çdo pjesë e trupit për ta,
ma cfilitë shpirtin malli i tyne,
ndërkohë ‘mirësia’ e të bardhëve, më neveritë.
Nuk më duron ky qytet, shpirt
më ban grumbull gjaku, si abort spontan,
më nxjerr jashtë kufinjve të vet. Më degdisë
në pritje, unë nxitoj me u kthy.
Sa herë vij, borë bjen borë shpirt.