Shpirti i nji qyteti me shi

10 Tetor, 2022 - 9:15 pm

Poezi nga Rozafa Shpuza

Mirë se t’gjeta qyteti jem,
me pellgje përmbytun prej ngutit të biçikletave,
strehë t’qindisuna me hej malli,
gjethnaja t’bame zhubël
si teshat e dashnorëve ndër oda hotelesh,
hapa të stërpikun me sekrete rrugicash,
çadra që flirtojnë me ritëm shtrëngatash,
gështenja që gërsasin mbi ethe zgarash
e frymë stërgjyshash t’ngujuem ndër korniza.
Mirë se t’gjeta qyteti jem…
M’gjegjet veç nji bubullimë
që shkapetë dritaret e harrueme çilë,
teksa zigzagu i vetimës arrnon retë e shkyeme.
S’ka vransinë që ia shuen etjen qytetit tem,
anipse shinat s’prajnë tue ia njomë
buzët zhuritun mallit.
Litarë shinash e përkundin prajshëm
e qyteti miklohet si mica afër votrës…
Por askush s’vëren avullin e mbas-shiut
kur ngutet me rrokë gjokset e tjegullave
ku përplasin krahët pëllumbat,
që nisen saora me shpuplue dashni t’bame qullë,
bashkë me mirazhe andrrash
përqafun me tym oxhakësh vetmitarë.

Nata ka me shprazë prore shi
e refreni i qytetit ka me nisë sparit… / KultPlus.com

Fotografia: Rozafa Shpuza

Të ngjajshme