12 Prill, 2018 - 4:30 pm
Poezi e shkruar nga Sali Bashota.
Ata i krihnin përqafimet para pasqyrës
Në mbrëmje i shkurtonin ëndrrat
Me gërshërët e fatit të mirë
Derisa të zhdukej dyshim i fundit
Një ditë iu ra ndërmend
Ta këpusnin shikimin e ndezur
Sa herë kumbonte fjalë e ligë
Dhe skuqej shkrumb i buzëve
Ata e pikturonin melankolinë e njëjtë
Në muret e shpirtrave
Vetëm dridhjet e qepallave nuk i kuptonin
Pavarësisht vullnetit të tyre