Shqipërizë, moj

29 Nëntor, 2024 - 10:58 am

Poezi nga Dije Demiri Frangu

Shqipërizë moj me zemra të vrara shekujsh
Po të shoh ende me fustan të shqyer
T’i shoh brinjët e nxira nën diell e nën hënë të shoh
Nëntokën me eshtra e gur paluar
Netëve si një nënë e mirë e ruan përkrenaren e Gjergjit
Që nëpër poezi ende lufton
Në pëllëmbë e mban zogun që vetëm lartësive fluturon

O sa shpesh e zeza të ka mbuluar
Je nëna me shumë aborte, me shumë të vjella
Asnjëherë s’ mbathe këpucë tamam
Me këmbë të përgjakura deri në gangrenë shekujve ece
Shqipërizë varur më ke mbetur ënderrave

Bëhu fëmijë që e do nënën- më thoshin
E unë mbaja pushkën varur e rrobat e zeza për ty nga frika
Se po t’i amputojnë duart këmbët
Krejt shkaku i bukurisë se po të dhunojnë
Se ke asi qielli e ke asi uji
Që ngjajnë në sy të fëmijës
Shqipërizë moj ende kam frikë për ty e për vete
Se na grabisin për inat të legjendave / KultPlus.com

Të ngjajshme