Shtëpia

3 Mars, 2020 - 11:53 pm

Warsan Shire

askush nuk e braktis shtëpinë
nga shtëpia ik vetëm kur ajo është goja e peshkaqenit

ti vrapon drejt kufijve
vetëm kur e sheh
të gjithë qytetin duke vrapuar.

fqinjët e tu duke vrapuar më shpejt
se ti, djali me të cilin ke shkuar në shkollë
që të puthi ty të trullosur mbrapa
fabrikës së vjetër të kanaqeve
mban armën më të madhe se trupi i tij,
ti e braktis shtëpinë
vetëm kur shtëpia nuk të lë ty të rrish.

askush nuk e braktis shtëpinë, nga ajo ik vetëm kur shtëpia
të ndjek ty, zjarri poshtë këmbëve,
gjaku i nxehtë në barkun tënd.

nuk është diçka që ke menduar ta
bësh, dhe kur e bëre –
ti e barte himnin në përshpëritjen tënde
duke pritur në banjon e aeroportit
të grisësh pasaportin dhe ta përbish atë,
në secilën kafshatë me gojën plot letër ta bësh të qartë që
ti nuk do të kthehesh mbrapa.

ti duhet të kuptosh,
askush nuk e fut femijën në anije
përpos atëherë kur uji është më i sigurt se toka.

kush do të pëlqente me i kalu ditët
dhe netët në barkun e kamionit
përpos atëherë kur miljet e udhëtuara
nënkuptojnë diçka më shumë se sa udhëtimi.
askush nuk do të pëlqente të zvarritej poshtë telit,
të hajë dajak derisa të braktis edhe hija jote
e të len të dhunuar, pastaj i fundosur, rrasesh në fundin
e anijes sepse je më i zi, shitesh,
vuan nga uria, qëllohesh në kufi si një kafshë e sëmurë,
të mëshirojnë, humb emrin tënd, humb familjën tënde,
që ta bësh kampin e refugjatëve shtëpi për një vit ose dy ose dhjetë,
i zhveshur dhe i kontrolluar, të gjesh burg çdo kund
dhe nese mbijeton të drejtohen nga ana tjetër me
shkoni në shtëpi zezakë, refugjatë
imigrantë të ndytë, azil kërkues
që po e thithni qumështin e vendit tonë,
të zinj, me duart e tyre kërkuese,
me kundërmim të çuditshëm, të egër-
shikoni çka i kanë bërë vendit të tyre,
a thua çka do t’i bëjnë tonit?

shikimet poshtruese në rrugë
më të buta se një gjymtyrë e këputur,
nënçmimi i përditshëm
më i durueshëm se katërmbëdhjetë burrat
që duken si babai yt, në mes
këmbëve, fyerjet që më lehtë kapërdihen
se rrënojat, se sa trupi i fëmijës tënd
I coptuar- harroje krenarinë tash
mbijetesa është më e rëndsishme.

dua të shkoj në shtëpi, por shtëpia është goja e peshkaqenit
shtëpia është tytë pushke
dhe askush nuk e braktis shtëpinë
përpos kur shtëpia të ndjek në breg
përpos kur shtëpia të thotë të
lësh mbrapa edhe atë çka nuk mundesh
edhe nëse është njeri.

askush nuk e braktis shtëpinë përpos kur shtëpia
është një zë i drithëruar në veshin tënd që thotë
shko, vrapo tash, unë nuk e di më cka
jam./KultPlus.com

Të ngjajshme