23 Nëntor, 2024 - 9:31 pm
Hyrë Fazilja
Si m’shikon ashtu?!
Po, ja…
Kështu shikohet deti, n’perëndim dielli;
Vala kur grindet me valën për bregun;
Era kur të tund fijen e flokut…
Kur dita ia dorëzon çelësin natës,
shikimi varet n’kujtime;
si nuk ia vjedha çastin dritës?!
Po kohën?!
Kohën akull do ta bëja,
për valsin me mijëra spektatorë t’ngrirë…
Si m’shikon ashtu?!
Po, ja…
Zëri dëgjohet me sy;
burimet e ujit, sytë i shterin,
tek përbijnë retinën n’shkëlqim zjarri…
Si m’shikon ashtu?!
Po ja…
Kështu di të të shikoj.
Për të ta matur dridhjen e shpirtit;
për të ta ndjerë frymëmarrjen mbi fytyrë;
për të pirë aromën e ajrit në gotën e vjeshtës…/ KultPlus.com