1 Korrik, 2024 - 11:49 pm
Poezi nga Ismail Kadare
Kristal
Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
Si të harroj un’ dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.
Tani kërkoj unë posht’e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.
Në s’të pranoftë asnjë varr,
Asnjë mermer a morg-kristal,
Mos duhet vall’ prap’ të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë ?
Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj./ KultPlus.com