2 Prill, 2020 - 1:00 pm
Poezi nga Ajne Iberhysaj
Në fushën e vetmisë shuan dëshpërimin
Ditët i mbështjelli me fragmente jete
Godet shpirtin me copëza vale
E trishtë dita si peng vjen nata
Nga gjithçka që ke
Ngjan me qelqin e kristaltë.
Dielli sikur e ka riskun e shpëtimtarit
Nga laborator doli një zë përbindësh
E pushtoi botën me egon e virusit
Nga degët ranë edhe lulet e mollës
Ditët u shkrin e u ngatërruan stinët.
Teatri hapi dyert e aktorët qeshën
Toka e Renesancës me partitura loti
Bota ndryshoi peizazhin e zemrës
Ëndrra shtetesh u thyen si pasqyrë
Simfoni kumbuese jete a vdekje
Përballë ke dy fronte
Panik e mesazhe shprese.
Dielli i marsit kallë shpirtin e ndalë vrullin
Lidh traktat me veten e rri në shtëpi
Heshtje e zbrazëti
Dëgjon aty këtu ndonjë zë zogu mekur
Mos valle edhe këta
I ka kapluar kjo pandemi.
Heshtja flet me vargun e murit
Kalkulime e arritjesh ranë e fjetën
Mbretëreshe kohe e kurorë jete
Higjiena e duarve klithmë e vetme.
Sa shumë veten e paskemi gënjyer
Shpresa nuk ka kujtesë por vetëm lutje
Sa çudi edhe shekujt ranë n’ujdi
Sa larg e afër e ndiej shijen e mesjetës
E shenjtë fjalë capitet me frymën e vargut
Më vret shpirtin e thyhet si qelq
Në atë diell e shoh riskun e shpresës
U kryqëzua jeta me hire apo rastësi
Me ecejaket e dhimbjeve të mesjetës …