16 Dhjetor, 2020 - 9:56 pm
Poezi nga Sadete Tërnava – Osmani
Brof mu ngjite me dorën mbi supe
Thekshëm më dëftove se lakenjtë po kthehen
Mos gabo t’i ndalësh
A i sheh se si himnin po e krehin
Shtirjen rreth cepave të flamurit
Me dhëmbë të zverdhur po e tundojnë fatin
“A po i vëren” më thua
Buzësh, duarsh e sysh po mbyten për dashurinë e tij
Tek vringëllijmë bashkë
Ata gojës e ne shpatës
Nëpër dhëmbë vazhdon
“Për zotin dëftuesit edhe djersën e agonisë na e marrin”
Cinizëm do ta quaje ti po të t’thosha se s’kuptoj
Çështja është ta pranosh se ata po kthehen
Këmbëkryq këngën tonë po e këndojnë
Mbi parullën se secili ka të drejtë
Se patriotizmi s’përbën lajm
E heq vështrimin nga flamuri
Ti përsëri më cyt
“Hë pra do t’rrish, ikësh a fluturosh”
Më mire po rri, them buzësh
Një ditë edhe ne mund të lartësohemi në gurë të bardhë
A i sheh përmasat kallëp për të gjithë
Flamurin e demokracisë Marksi e paska bërë
Të mbështjellë palë-palë
Dhuratë këtyre shpirtrave futuristë
Krahu tashmë mu mavijos e ti s’hesht
Tatjeta të them dhe tek ndahemi pa pajtim
Mërmëris se çastin modern s’e dua
As imperatorët fitimtarë
Trutë mjaft mu thartuan
Mendimin frazor se zemërimi është emocion negativ
S’e duroj
Dhe, edhe pse me vonesë po them
Po bërtas
E drejta ne emër të futurizmit është marrëzi
Po aq çmenduri sikur të zgjoheshe në të kaluarën./ KultPlus.com